Cameron: Assad të largohet menjëherë

06/03/2012 21:10

Kryeministri i Britanisë së Madhe, David Cameron, vlerësoi se zgjidhja e krizës siriane mund të vijë vetëm nëpërmjet largimit të presidentit Bashar al-Assad nga qeveria.

Në një seancë parlamentare gjatë ditës së martë, Cameron vlerësoi se: “Mënyra më e shpejtë për t’i dhënë fund masakrave është largimi i Assad nga pushteti”.

Sipas Cameron, për “Sirinë do të ishte më mirë që të përjetonte një tranzicion në krye të regjimit, se sa një revolucion popullor”.

Në fjalën e tij, Kryeministri i Britanisë përsëriti thirrjen drejtuar Rusisë dhe Kinës për të mos bllokuar rezolutat e ardhshme që mund të paraqiten në Këshillin e Sigurimit në OKB për zgjidhjen e krizës.

Më parë, Moska dhe Pekini kanë vendosur veton e tyre kundër, duke argumentuar se sanksionet e propozuara ndaj Sirisë shkelnin parimin e mosndërhyrjes në punët e brendshme të një shteti dhe nuk jepnin garanci për mossulmimin e vendit në të ardhmen.

Sipas vlerësimeve të deritanishme, në një vit luftë civile në Siri, më kanë humbur jetën 7-15 mijë persona.

Top Channel