Brazil, ekonomia vazhdon të rritet

06/03/2012 16:15

Ekonomia braziliane nuk njeh krizë, ndërsa në vitin 2011 vazhdoi rritjen me 2,7%. Shifrat u raportuan ditën e martë nga Instituti Zyrtar i Statistikave i vendit amerikanojugor.

Sipas analistëve, ekonomia më e madhe e kontinentit latin pritet të shndërrohet brenda dy viteve të ardhshme në të gjashtën më të madhe në botë, duke lënë pas atë të Britanisë së Madhe, e cila në 2011-n u rrit me 0,8%.

Aktualisht, ekonomia braziliane është duke përfituar nga rritja e çmimit të karburanteve dhe ushqimeve, të cilat përbëjne edhe eksportet kryesore të shtetit me 192 milionë banorë.

Pavarësisht një ngadalësimi në tremujorin e fundit të vitit, Brazili parashikon një rritje në nivelin 3-4% për vitin aktual. Presidentja e vendit, Dilma Roussef, ka premtuar gjithashtu masa për të frenuar inflacionin e lartë, ndonëse ai ka ndihmuar për rritjen e eksporteve.

Sipas FMN-së, vlera totale e Prodhimit të Brendshëm Bruto në Brazil është prej 2,09 trilion dollarëve, ndërsa në Britani është prej 2,25 trilion $. Megjithatë, Qëndra për Kërkimet e Biznesit dhe Ekonomisë raportoi “parakalimin” e Britanisë që në dhjetor 2011.

Top Channel