Australi, përmbytjet zhvendosin 9 mijë banorë

06/03/2012 08:45

Të paktën 9 mijë persona janë urdhëruar të braktisin shtëpitë e tyre në qytetin Uaga Uaga, në Nju South Uells, për shkak të përmbytjeve që vazhdojnë të godasin Australinë.

Niveli i ujit në lumin Murrumbrixh parashikohet të arrijë në 10.9 metra, duke shkaktuar frikën se argjinaturat e qytetit mund të shemben.

Policia, ushtria dhe shërbimet e emergjencës kanë ndihmuar banorët të evakuohen, bëjnë të ditur mediat lokale.

Ditë me shira të dendura kanë shkaktuar përmbytje në tre shtete të Australisë dhe kanë shkaktuar vdekjen e të paktën 2 personave.

Pjesë të Kuinslendit dhe Viktorias janë prekur gjithashtu nga reshjet. Ditën e martë, operatorët e emergjencës dhe autoritete të tjera në Uaga Uaga deklaruan se po monitoronin ngritjen e nivelit të ujit dhe argjinaturat.

Rritja e pritshme e nivelit të ujit parashikohet të jetë më e lartë se ajo gjatë përpmbytjeve të zonës në vitin 1974 dhe më e larta që prej vitit 1844, bëjnë të ditur mediat australiane.

Kryeministria Julia Gillard u tha gazetarëve se njësi ushtarake janë vendosur në zonat e rrezikuara dhe po qendrojnë në gatishmëri për të ndërhyrë nëse do të jetë e nevojshme.

“Ne kemi pasur përmbytje në Nju South Uells, Kuinslend dhe Viktoria. Banorët e Uaga Uaga po përjetojnë momente ankthi”, deklaroi Gillard.

Shirat në Australi janë shkaktuar nga lëvizja e sistemit të motit përtej jugut dhe zonave qendrore të shtetit. 

Top Channel