Trupi i Osama bin Laden, i vrarë nga komandot amerikanë në Abotabad të Pakistanit më 2 maj, nuk është varrosur në det, siç u informua atëherë nga Shtetet e Bashkuara.
Por, sipas një raportimi të fundit, trupi i pajetë i sheikut të terrorit është transferuar në Institutin e Patologjisë të Forcave të Armatosura amerikane në Betesda, në Merilend.
Lajmin e bën të ditur Fred Burton, zëvendëspresident i “Stratfor”, agjencia private e inteligjencës, në një seri email-esh të dërguara në orët pas vrasjes së liderit të Al Kaedës, por të publikuara vetëm tani nga Wikileaks.
Që pas vdekjes mbi sheikun kanë qarkulluar një seri informacionesh, ku spikat ai i ditëve të fundit se kryeterroristi ka qenë në kontakt me shërbimet sekrete pakistaneze.
Ka qenë sërish një kabllogram i publikuar nga Wikileaks që i referohej një raporti të agjencisë së inteligjencës amerikane.
Ndërkohë, muajin e kaluar autoritetet pakistaneze nisën shkatërrimin e rezidencës së Bin Laden, në përpjekje për të “zhdukur” çdo gjurmë të tij në qytetin e Abotabadit.
Rezidenca në fjalë ndodhej pranë akademisë më të madhe ushtarake të Pakistanit, gjë që acaroi Uashingtonin zyrtar, që u shpreh i habitur se si asnjë zyrtar apo oficer pakistanez nuk e kishte pikasur atë.
Aktualisht, regjisorja amerikane Katherine Bigelow po drejton xhirimet e një filmi për Bin Laden dhe vrasjen e tij nga grupi special “Team 6”, i njësisë elitë luftarake Navy Seal.
Top Channel