Shkupi zyrtar u ka kërkuar vendeve anëtare të Bashkimit Evropian mbështetjen e tyre për marrjen e një vendimi për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit.

Kërkesa u bë nga ministri i Jashtëm maqedonas, Nikolla Poposki gjatë një takimi me ambasadorët e bllokut evropian të akredituar në Shkup.

“Ne kërkojmë mbështetje nga ju për miratimin sa më shpejt të vendimit të merituar për fillimin e bisedimeve nga ana e Këshillit të BE-së”, ka deklaruar Poposki.

Sipas një komunikate për shtyp, shefi i diplomacisë maqedonase ka kërkuar që të respektohet parimi i vlerësimit të meritave për vendet që aspirojnë anëtarësimin, të cilat kanë arritur progres në implementimin e kritereve të Kopenhagenit.

Ndërkohë, shefi i zyrës së KE-së në Shkup, Avio Orav, gjatë një takimi me presidentin Gjorgje Ivanov, siguroi këtë të fundit se Brukseli mbetet i angazhuar për integrimin e Maqedonisë.

Në takimin ku dorëzoi letrat kredenciale, shefi i misionit evropian ka nënvizuar se vendi duhet të bëjë hapa përpara për zgjidhjen e çështjes së emrit me Greqinë.

Çështja në fjalë ka bllokuar proçesin e integrimit të Maqedonisë në NATO dhe BE, pasi Greqia pretendon se emri “Maqedoni” përkon me një krahinë të saj dhe për rrjedhojë mund të lindin probleme.

Pak ditë më parë, presidenti maqedonas Ivanov kërkoi që emri me të cilin identifikohet Maqedonia të shoqërohet me një fusnotë njësoj si Kosova, që nënshkroi një marrëveshje me Serbinë.

Muajin e kaluar ndërmjetësi i OKB-së, Metju Nimic kërkoi në Shkup zgjidhje të shpejtë për problemin e emrit, pasi siç u shpreh ai, kjo çështje është shumë e rëndësishme për stabilitetin e gjithë rajonit.

Top Channel