Rusi, protesta anti-Putin, 550 arrestime

05/03/2012 21:40

Policia në Rusi ka arrestuar 550 persona pas protestave kundër rizgjedhjes së Vladimir Putin president, me liderin Alexei Navalny mes personave të ndaluar.

Policia ka ndaluar 300 persona në qendër të Shën Peterburgut nga rreth 800 që ishin gjithësej në protestë, njoftojnë mediat ndërkombëtare.

Ndërkohë, 250 të tjerë u ndaluan në kryeqytetin Moskë, përfshirë Navalny dhe bashkëpunëtorin e tij Sergei Udaltsov.

Arsyet për arrestimet e protestuesve në Moskë nuk janë dhënë ende, por policia ka pastruar nga të pranishmit sheshin ku Navalny dhe Udaltsov kishin organizuar tubimin.

Navalny, që denoncon korrupsionin në Rusi, ka njoftuar për arrestimin e tij përmes një mesazhi të publikuar në rrjetin social Tëitter.

Në fillim ai u fut nga forcat e rendit në një furgon policie ku kishte edhe të ndaluar të tjerë, ndërsa më pas u fut i vetëm në një automjet tjetër dhe nuk dihet se ku është dërguar.

Ndërsa zoti Udaltsov është arrestuar pasi ka refuzuar të largohet nga Sheshi Pushkin i Moskës pas tubimit, ku thuhet se morën pjesë nga 14 mijë në 20 mijë persona.

Vende të shumta të botës kanë pranuar fitoren e zotit Putin ditën e diel, por vëzhguesit deklarojnë se proçesi zgjedhor është manipuluar në favor të tij.

Kryeministri britanik David Cameron i ka telefonuar Putin, duke i thënë se mezi pret të bashkëpunojë me të për të tejkaluar pengesat në marrëdhëniet mes Britanisë dhe Rusisë dhe për të ndërtuar lidhje të thella politike e tregtare.

Gjithësesi, në deklaratën për shtyp të lëshuar nga Downing Street nuk thuhet që gjatë bisedës Cameron të ketë uruar Putin për fitoren.

Ndërkohë ka reaguar edhe Departamenti amerikan i Shtetit, që ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të bashkëpunojnë me zotin Putin. 

Top Channel