Kurani, hakmarrje e talebanëve

05/03/2012 18:15

Dy persona janë vrarë dhe katër të tjerë janë plagosur në një atentat vetëvrasës të ndodhur në bazën ushtarake amerikane të Bagramit. Lajmin e bëjnë të ditur autoritetet lokale.

Sulmi vetëvrasës është marrë përsipër nga talebanët, që kanë deklaruar se në këtë mënyrë janë hakmarrë për djegien e kopieve të Kuranit nga ushtarët amerikanë.

Megjithatë, guvernatori i provincës së Parëanit, Abdul Basir Salangi ka deklaruar se mes viktimave nuk ka ushtarë amerikanë apo vendas.

Pikërisht në bazën e Bagramit marinsat amerikanë dogjën disa kopie të librit të shenjtë, duke i vendosur mbi një pirg plehrash që digjeshin.

Veprimi në fjalë u cilësua si një blasfemi nga populli afgan dhe shkaktoi një valë dhune që deri tani u ka marrë jetën më shumë se 30 personave.

Mes viktimave ka edhe oficerë amerikanë, dy prej të cilëve janë vrarë në ambjentet e Ministrisë së Brendshme, ndërsa dy të tjerë në një bazë ushtarake vendase.

Komandanti i trupave të NATO-s në Afganistan, gjenerali John Allen ka deklaruar se ngjarjet në fjalë kanë vështirësuar marrëdhëniet mes aleatëve dhe institucioneve.

Top Channel