Kinë, fokusi tek mirëqënia dhe ushtria

05/03/2012 15:40

Kreministri Wen Jiabao uli pritshmëritë për rritjen ekonomike të Kinës, ndërsa hapi punimet e kongresit të fundit partiak nën drejtimin e tij.

Duke folur përpara tre mijë delegatëve në Pallatin e Madh të Popullit në Pekin, Wen foli gjithashtu për çështjet ushtarake dhe mosmarrëveshjet territoriale me fqinjët.

Ai propozoi rritjen e të drejtave të pronës për fermerët, ndërsa konsideroi të domosdoshme për ushtrinë kineze që të jetë në gjendje të “fitojë luftrat e mundshme lokale”.

Ky është Kongresi i fundit partiak, përpara se një proces i ndryshimit të lidershipit në krye të shtetit njëpartiak të nisë në tetor. Sipas ekspertëve, me presidentin Hu Jintao që ka lajmëruar tërheqjen e tij nga jeta politike, zëvendëspresidenti Xi Jinping pritet të ngjitet në pozicionin më të lartë drejtues në Pekin.

Siç është zakon në mbledhje të tilla, Jiabao nisi fjalimin e tij duke numëruar një sërë arritjesh ekonomike, por paralajmëroi se rritja për këtë vit do të jetë prej “vetëm” 7,5%, më pak se parashikimet që flisnin për rritje 9-10%.

”Rënia e rritjes sonë ekonomike reflekton gjendjen e vështirë ekonomike në planet dhe është e rëndësishme që të rikonceptojmë edhe mënyrën tonë të të bërit biznes”, deklaroi Jiabao.

Objektivi për inflacionin u fiksua në 4%, ndërsa u premtua krijimi i nëntë milionë vendeve të reja të punës në 2012-n. Wen foli edhe për rritje të konsumit të brendshëm, rritjes së shpenzimeve për shërbimet sociale dhe të nivelit të jetesës për të gjithë popullsinë.

Në muajt e fundit, Kina është përfshirë në një betejë verbale me disa prej fqinjëve të tij për një sërë territoresh kufitare dhe detare të pretenduara prej Pekinit zyrtar.

”Rritja e vëmendjes ndaj forcave tona të armatosura është e natyrshme, pasi është e domosdoshme për vendin që të kemi një ushtri të fortë, në gjendje që të fitojë në konfliktet e mundshme rajonale që mund të formohen në të ardhmen”, deklaroi Wen.

Javën e shkuar, shifrat zyrtare shtetërore treguan se për herë të parë në histori, Kina kaloi kufirin e 100 miliardë dollarëve, për shpenzime ushtarake. Një shifër e tillë e shndërron vendin më të populluar në botë në shtetin e dytë që shpenzon më shumë për forcat e armatosura, pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Top Channel