Fondi Monetar Ndërkombëtar njoftoi të hënën se ka në plan që të vazhdojë ndihmën financiare për Kosovën, pas bllokimit të fondeve vitin e kaluar për shkak të një kontesti të krijuar me Prishtinën, si pasojë e rritjes së pagave për punonjësit shtetërorë.

FMN deklaroi se ka arritur një marrëveshje me autoritetet kosovare për një program të ri 20-mujor, me vlerë 107 milionë euro dhe që ka si objektiv stabilizimin e buxhetit të Kosovës dhe forcimin e sektorit financiar të saj.

“Bordi i FMN-së do të shqyrtojë programin e ri në fund të prillit, kur edhe pritet të japë konfirmimin”, thuhet në një komunikatë për shtyp të shpërndarë nga vetë Fondi.

Kjo lëvizje vjen pothuajse një vit pasi qeveria kosovare në mënyrë të njëanshme rriti pagat në sektorin publik, duke shkaktuar irritimin e FMN-së, që pezulloi programin me vlerë 109 milionë euro, të përcaktuar që në korrikun e viti 2010, pasi ishin dhënë vetëm 22 milionë euro.

Në atë kohë, FMN tha se Kosova kishte devijuar nga angazhimet e programit, duke rritur pagat e funksionarëve publikë me 50 për qind.

“Që atëherë zbatimi i reformave të nxitura nga Fondi ka qenë në masë të madhe i kënaqshëm. Është arritur një progres domethënës në respektimin e objektivave fiskale”, thuhet në deklaratën e FMN-së.

Top Channel