Në kuvendin e fundit LDK-ja doli me një ide sa të vjetër aq edhe të re për opinionin në Kosovë. Kreu i kësaj partie, Isa Mustafa tha se me të marrë pushtetin do të punojë për  zëvendësimin e simboleve shtetërore, flamurin dhe himnin me simbolet e propozuara nga ish-presidenti Ibrahim Rugova.

Por cila është origjina  këtyre simboleve?

Historiani kosovar, Fehmi Rexhepi thotë se flamuri i Dardanisë është propozuar nga presidenti Rugova në vitin 1992 ndërsa himni është një këngë e vjetër popullore e kënduar nga shqiptarët në kryengritjet e tyre kundër pushtuesit osman.

Teksa shpjegon me detaje përmbajtjen e flamurit, duke u nisur nga emri i Kosovës, Dardania në antikitet,Rexhepi thotë se ky flamur përfaqëson më shumë popullin e Kosovës se sa flamuri shtetëror, të cilit ai i referohet si “flamuri i Ahtisarit”.

“Nga aspekti historik, ky flamur përfaqëson identitetin e Kosovës nga antikiteti e deri në ditët e sotme. Ka në sfond ngjyrën e kaltër të thellë që simbolizon lirinë, sfondi i kuq që simbolizon gjakun e derdhur për lirinë e shqiptarëve gjatë historisë. Në sfond gjendet edhe shqiponja me dy krenë që është edhe simbol kombëtar i shqiptarëve. Në flamurin e Dardanisë ëshë edhe paneli i bardhë në mes në të cilin shkruhet Dardania, emri i Kosovës antike”, thotë historian Fehmi Rexheni nga Instituti i Historisë së Kosovës.

Nga ana tjetër është kryetari i Kuvendit të Kosovës ai i cili duket se nuk e ka mirëpritur këtë ide. Jakup Krasniqi thotë se e ka për zemër flamurin kombëtar, por porosit partitë politike që të angazhohen për cështje të cilat ndikojnë në jetën e qytetarëve.

“Kosova ka nevojë për një qasje tjetër, për një qasje ndaj zhvillimit ekonomik, reformave në sistem, shëndetësi, arsim dhe cështje sociale. Kosova ka shumë probleme të tjera me të cilat duhet të merren partitë”, tha kryeparlamentari, Jakup Krasniqi.

Në fakt LDK-ja nuk e ka mbështetjen as e subjektve të tjera parlamentare.

“Ne mendojmë se Kosova duhet të ketë flamurin kombëtar si flamur të sajin dhe e kemi thënë këtë disa herë. Nuk ka kurrëfarë kundërshtimi që edhe Kosova të ketë të njëjtin flamur me atë që e mban aktualisht Shqipëria për shkak se ky është flamuri i shqiptarëve dhe nëse ne pajtohemi që në Kosovë, shumica dërrmuese e popullatës janë shqiptarë, ky është një fakt demografik, atëherë më së miri këta shqiptarë do t’i përfaqësojë më mirë shqiptarët”, deklaroi Visar Ymeri nga Vetëvendosje.

“Në 10 vite janë bërë gabime në hapa në Kosovë. Ka patur veprime që kanë sjellë që në cdo situatë do të duhet që ne ta negociojmë cdo gjë. Mendoj se kemi shumë punë për të bërë. Simbolet janë të rëndësishme, por më e rëndësishme është brendia”, deklaron Ardian Gjini, kryetar i grupit parlamentar të AAK-së.

Kryetari i LDK-së Isa Mustafa ka lënë të hapur mundësinë për të mbajtur referendum për simbolet shtetëror nëse vjen në pushtet. E po të njëjtën gjë nga ana tjetër dëshiron ta bëjë edhe lëvizja Vetëvendosje, por me flamurin kombëtar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA