Agjentët serbë në pikën kufitare të Dheut të Bardhë kanë penguar përkohësisht përfaqësues të biznesit kosovar që të kalonin kufirin për në Serbi.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agimi Shahini deklaroi për “REL” se qëllimi i vizitës së biznesmenëve ishte promovimi i javës së biznesit në Luginën e Preshevës.

“Një delegacion prej 16 personash nga Kosova u nis sot për promovimin e javës së biznesit në Preshevë dhe Bujanoc. Por, në pikën kufitare të Dheut të Bardhë nuk u lejuam të kalojmë. Pa na dhënë asnjë arsye, agjentët na kanë penguar. Për një gjë të tillë kemi njoftuar institucionet e Kosovës”, deklaroi Shahini.

Kreu i AKB-së nënvizoi se delegacionit nuk iu dha asnjë arsye zyrtare për ndalimin, por një polic serb i komunikoi se pa një urdhër të institucioneve të Beogradit, hyrja e delegacionit nuk do të lejohej.

Pas një pritjeje jo të shkurtër në pikën kufitare, anëtarët e delegacionit të Aleancës Kosovare të Biznesit janë lejuar të kalojnë nga agjentët serbë.

Në të njëjtën mënyrë, pak kohë më parë, agjentët serbë nuk lejuan hyrjen e ministrit Kosovar të Diasporës, Ibrahim Makolli në Luginën e Preshevës.

Top Channel