BE uron Putin

05/03/2012 22:45

Bashkimi Evropian i ka ndjekur me interes të veçantë zgjedhjet në Rusi, një partner strategjik dhe vend fqinj, por edhe debatin publik në vend.

Në reagimin e parë pas leximit të raportit të OSBE-ODIHR, BE nuk përshëndeti fituesin e shpallur, ndërsa bëri thirrje për adresimin e parregullsive në zgjedhjet për Dumën ruse në dhjetor, si dhe për ato presidenciale të një dite më parë.

Maja Koçijançiç, zëdhënëse e BE:

“Në raportin e sapo publikuar vëzhguesit kanë identifikuar disa parregullsi, si gjatë përgatitjes, ashtu edhe gjatë mbajtjes së këtyre zgjedhjeve. Në përgjithësi, ne ndajmë vlerësimin e tyre, por siç e thashë, jemi në lexim e sipër të raportit. Gjithsesi ajo që mund të them në këtë pikë, njësoj siç e kemi bërë edhe për zgjedhjet e Dumës, ne po e inkurajojmë Rusinë të adresojë parregullsitë. Dhe më në përgjithësi, BE shpreson të punojë me Presidentin e ri rus dhe qeverinë e re, në mbështetje të plotë të axhendës së modernizimit të Rusisë. Reformat ekonomike, por dhe ato politike, janë të domosdoshme për modernizimine Rusisë dhe BE beson se Presidenti i Rusisë është gati t’i shndërrojë ato në një dialog të hapur me qytetarët dhe shoqërinë civile.”

Gazetarë të ndryshëm të mediave ndërkombëtare kritikuan mungesën e urimeve ndaj Vladimir Putin, pasi siç e konsideruan ata, dihet mire se kush është Presidenti i ri rus, i cili ushqen marrëdhënie të gjata e mjaft të ngushta me BE.

Zëdhënësja e Komisionit sqaroi se pritet të ketë një deklaratë më të zgjeruar nga Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, i cili me Putin ka zhvilluar takime të panumërta.

Top Channel