SHBA, Romney fiton Uashingtonin

04/03/2012 08:30

Kandidati republikan për president, Mitt Romney, mposhti tre rivalët e tjerë brenda partisë, duke fituar në zgjedhjet paraprake të Uashingtonit.

Me pothuajse të gjitha votat e numëruara, Romney ka arritur të grumbullojë 36% të totalit, i ndjekur nga rivalët Rick Santorum dhe Ron Paul, me nga 25% secili. I katërti në garë, ish-kryetari i Kongresit, Newt Gingrich, fitoi 14% të preferencave.

Kjo fitore i jep një besim të shtuar Romney, favoritit për t’u shndërruar në rivalin zyrtar të presidentit Obama, përpara “super të martës” së 6 marsit, në të cilën do të votohet njëkohësisht në dhjetë shtete.

Në Uashington, mediat amerikane raportuan për një pjesëmarrje veçanërisht të lartë në votime, me votuesit që janë inkurajuar edhe nga natyra e paqartë e garës deri në këtë moment.

”Jam shumë i inkurajuar nga ky sukses në Uashington dhe falenderoj votuesit për të gjithë mbështetjen që më kanë dhënë”, deklaroi Romney.

Kandidatët republikanë kanë nevojë të fitojnë mbështetjen e përkthyer në 1 114 delegatë, për të fituar emërimin zyrtar të partisë. Aktualisht, Romney dhe Santorum duket se kryesojnë garën, por e marta do të jetë vendimtare për fatin e të gjithë konkurrentëve në garë.

Top Channel