Poloni, aksident hekurudhor, 15 viktima

04/03/2012 08:45

Dy trena u përplasën mbrëmjen e së shtunës në Poloninë jugore, duke shkaktuar 15 viktima dhe të paktën 50 të plagosur, bënë të ditur burime zyrtare.

Aksidenti ndodhi në linjën Varshavë-Krakovë, në afërsi të qytetit të vogël të Shçekocinit. Ngjarja tragjike ndodhi pasi një prej dy trenave, të cilët transportonin të dy pasagjerë, ishte futur në rrethana ende të paqarta në binarët e gabuar.

Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, e konsideroi ngjarjen si “më tragjiken në shumë vite”. Ai mbërriti në vendngjarje së bashku me tre Ministra të kabinetit.

Të dy trenat, me dhjetë vagona në total, po transportonin 350 udhëtarë së bashku në momentin e incidentit. Helikopterë të urgjencës mjekësore nga Varshava dhe Vroclavi kanë ndihmuar në transportimin e të dëmtuarve në spitale.

”Operacioni i shpëtimit është i vështirë dhe i ndërlikuar”, deklaroi zjarrëfikësi Jaroslav Vojtasik, në Televizionin Kombëtar Polak. “Vagonat janë shtrembëruar keqas dhe disa të aksidentuar kanë ngecur në brendësi. Kemi kontaktuar me ta, por po përparojmë me shumë kujdes”.

Aksidenti ndodhi kur një tren që po udhëtonte nga Pshemishli drejt Varshavës, u përplas me trenin që vinte nga Varshava drejt Krakovit. Treni i dytë kishte hyrë në udhën e gabuar, duke i shkuar përballë trenit tjetër.

Hetimet paraprake kanë nisur, por dyshohet se aksidenti është rrjedhojë e një gabimi njerëzor, në të cilin mbase mund të kenë ndikuar disa punime mirëmbajtje që ishin duke u zhvilluar në stacionin e vogël të Shçekocinit.

Javën e shkuar, në një aksident të ngjashëm hekurudhor, 51 persona gjetën vdekjen në Argjentinë.

Top Channel