Duket se Lidhja Demokratike e Kosoves ka gjetur armën me të cilën do të luftojë për t’i fituar zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Ajo është ndryshimi i flamurit shtetëror dhe zëvendësimi i tij me flamurin e Dardanisë, një simbol ky i propozuar nga ish-presidenti Ibrahim Rugova. Kryetari i kësaj partie, Isa Mustafa paralajmëroi se LDK-ja do të punojë edhe për zëvendësimin e himnit shtetëror të Kosovës po kështu me himnin e propozuar nga Rugova e i cili sot këndohet vetëm në LDK.

Këto komente, z. Mustafa i bëri gjatë punimeve të kuvendit të punës, në të cilin u miratua statuti i ri i partisë dhe programi politik.

”Vlerësojmë se nëse do të vijmë në pushtet, do të zhvillojmë procedura demokratike, në mënyrë që flamuri i ardhshëm i Kosovës të jetë ai i Dardanisë dhe që himni kombëtar të jetë ai i propozuar nga Ibrahim Rugova”, u shpreh Mustafa.

”Natyrisht, për këtë do të kërkojmë edhe pëlqimin e minoriteteve dhe të faktorëve që na kanë ndihmuar. Ne do ta bëjmë me një procedurë të rregullt demokratike, do të zhvillojmë debate. Besimi ynë është që Kosova i meriton ato simbole dhe dëshira jonë është që ato të jenë simbole të Republikës së Kosovës”.

Ky kuvend pati edhe të pakënaqur. Disa anëtarë u përjashtuan nga Këshilli i Përgjithshëm me arsyetimin se nuk kanë qenë shumë aktive.

Njëri nga ata, Haxhi Kamberi akuzoi lidershipin aktual se po punon në kundërshtim me vlerat demokratike dhe rugovjane.

Të përjashtuarit janë kryesisht përkrahës të ish-kryetarit të LDK-së, Fatmir Sejdiu, i cili sot duket më shumë i brengosur për orientimet programore sidomos kur bëhet fjalë për miqesinë me amerikanët dhe europianët.

”Kam shprehur shqetësimin se një ndër temat kryesore duhet të jetë për atë që mund të ofrojë LDK për shtetin e Kosovës, duke patur parasysh jo vetëm pjesën e marrjes së iniciativave, por të jetë edhe arterie e rëndësishme në procese të mëdha. Paralelisht, duhet të mbajmë një kohezion të fuqishëm me miqtë tanë, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian, politikë që ka qenë e formuluar që prej ditës së parë të themelimit të partisë”, deklaroi ish-kryetari i LDK-së, Fatmir Sejdiu.

Nga ana tjeter, deputeti Sabri Hamiti u mor me kritikat e ambasadorit Dell bërë LDK-së në kohën kur ajo kundërshtonte fusnotën.

Hamiti tha se askush nuk duhet të presë që LDK-ja do të mirëprese mendimin e dikujt, i cili kritikon opozitën në një vend demokratik sepse Kosova nuk është si Irani apo Koreja.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA