Kinë, shpenzime ushtarake rekord

04/03/2012 11:50

Shpenzimet ushtareke të Kinës do të rriten me 11,2% në vitin 2012, duke tejkaluar për herë të parë në histori kufirin e 100 miliardë dollarëve, lajmëruan burime zyrtare.

Megjithatë, ekspertë perëndimorë kanë vendosur prej kohësh në pikëpyetje vërtetësinë e statistikave, duke vlerësuar shpenzimet e vërteta të Kinës 2-3 herë më të larta.

Shpenzimet e Pekinit për mbrojtjen kanë ardhur vazhdimisht në rritje në dy dekadat e fundit, duke u shndërruar në vendin e dytë që shpenzon më shumë për ushtrinë, pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Një pjesë e madhe e shumës së planifikuar për vitin 2012 do të shpenzohen në ndërtimin e aeroplanmbajtëseve, avionëve të pakapshëm prej radarëve dhe raketave që janë në gjendje të godasin satelitët në hapësirë.

Presidenti Obama deklaroi në fundit të 2011-s se SHBA do të forcojë pozitat e saj ushtarake në zonën aziatike dhe se ky kontinent do të ketë një vëmendje të veçantë në të ardhmen. Rritja e menjëhershme e buxhetit kinez të mbrojtjes konsiderohet si një kundërpërgjigje e autoriteteve komuniste ndaj këtyre deklaratave.

Aktualisht, buxheti amerikan për ushtrinë është prej 740 miliardë dollarësh në vit. Britania e Madhe dhe Rusia janë dy shtetet e tjera që shpenzojnë më shumë për mbrojtjen.

Pavarësisht se Kina e deklaron veten një vend paqësor dhe të paangazhuar në konfliktet ndërkombëtare, forcimi i saj i madh ushtarak ka shqetësuar ndjeshëm fqinjët.

Shteti më i populluar në botë me më shumë se 1,3 miliardë banorë ka mosmarrëveshje të vjetra territoriale me Vietnamin, Filipinet, Japoninë si dhe ka vendosur qindra raketa në bregdet drejtuar Tajvanit, ishull i cili vazhdon të konsiderohet si pjesë e territorit kinez.

Top Channel