Integrimi i Kosovës në BE

04/03/2012 09:25

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Ulrike Lunaçek, nuk është e kënaqur me konkluzionet e Këshillit të Ministrave për Kosovën.

Dokumenti nuk garanton se të gjitha vendet e BE-së do ta nënshkruajnë MSA-në, në rast se studimi i fizibilitetit do të rezultonte pozitiv. Por, sipas Lunaçek, nuk mund të pritej më shumë kur njihet qëndrimi i pesë vendeve anëtare të BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

“Nuk u gëzova nga ndryshimet në konkluzionet e këshillit. Por, nuk është se ato ndryshojnë shumë. Po, është një fakt që kemi ende pesë vende anëtare që nuk e njohin Kosovën. Unë jam një nga avokatët e njohjes, e bëj hapur, e bëj prapa dyerve të mbyllura apo kur flas me ta. Është ende një proces që fatkeqësisht nuk ka përfunduar, as tek vendet anëtare të BE-së, as në OKB ku ende nuk kemi një shumicë vendesh që e njohin pavarësinë e Kosovës. Do të doja të ishte ndryshe dhe shumica në këtë Parlament gjithashtu, por nuk ndodh kështu në këshillin e BE-së. Në fund të fundit është mirë që Komisioni do të nisë studimin e fizibilitetit, por ka qenë gjithnjë e qartë se për MSA-në, duhet të kalohet nga Këshilli”, deklaroi Raportuesja për Kosovën.

Lunaçek këmbëgul gjithsesi që Kosova të shfrytëzojë në maksimum marrëveshjen e dialogut të fundit me Serbinë, për të kërkuar vendin që i takon në bashkëpunimin rajonal apo për anëtarësim në organizata të ndryshme.

Ndërsa në lidhje me pritjet për studimin e fizibilitetit, raportuesja fton autoritetet e Kosovës të punojnë për të merituar një raport pozitiv.

“Këtu i takon Kosovës të punojë: qeveria, të gjitha institucionet e tjera dhe qytetarët e Kosovës, Parlamenti, duhet të mbështesin vendin e tyre, Republikën e Kosovës, që t’ia arrijë me sukses. Gjërat nuk janë perfekte në Kosovë. Ka kaq shumë gjëra ku edhe unë jam kritike në rapotin tim. Pra, për momentin, unë nuk e di a do të kishte dalë mirë vendi, nëse studimi i fizibilitetit do të ishtë bërë sot. Por, pas një viti apo një viti e gjysëm, ndoshta. Puna duhet të bëhet në Kosovë, nga Kosova, kjo është detyra e qytetarëve të Kosovës, qeverisë së Kosovës dhe gjithë institucioneve. Pra, unë shpresoj që do të jetë pozitive në përfundim”, shtoi Lunaçek.

Lunaçek vlerëson se procesi do të marrë kohë, dhe se qytetarët e Kosovës duhet të pajisen me durim. Sipas raportueses, vendi duhet të punojë paralelisht për sa më shumë njohje.

Marrëveshjet gjatë dialogut dhe konkluzionet e ministrave do të sjelin ndryshime edhe nërezolutat e Parlamentit Europian për Kosovën dhe Serbinë, para votimit në seancë plenare gjatë këtij muaji.

Nga Brukseli, Ernest Bunguri

Top Channel