Kreu i Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi, me t’u kthyer nga Brukseli, e ka vlerësuar fillimin e studimit të fiziblitetit nga BE-ja si sukses, jo vetëm të qeverisë që ai e drejton, por edhe të subjekteve politike, e qytetarëve të Kosovës.

Ky studim vjen nga Brukseli vetëm pak ditë pas arritjes së marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për përfaqësimin rajonal të Kosovës me një fusnotë, që është kritikuar nga opozita, por Thaçi ka kërkuar bashkëpunimin e të gjithëve në rrugën drejt Europës.

“Ne të gjithë qeveria, por edhe opozita duhet të vazhdojmë të punojmë bashkërisht për reformat demokratike, për Kosovën Evropiane, duhet të punojmë të gjithë sepse ky proces nuk mund të arrihet vetëm nga një parti, nga një mandat qeveritar apo vetëm nga një qeveri”, tha kryeministri Hashim Thaçi, kryeministër i Kosovës.
 
Madje, Thaçi ka pyetur kritikët e marrëveshjes së fundit se “cila është alternativa e tyre?” dhe “nëse do të pranonin ta izolonin Kosovën?”, ndërsa vetë është shprehur se izolimi për të është i papranueshëm. Sipas Thaçit, udhërrëfyesi për liberalizim të vizave është finalizuar dhe pritet t’i dorëzohet institucioneve të Kosovës në ditët e ardhshme, ndërsa ka paralajmëruar se komisioneri i BE-së për Zgjerim, Stefan Fyle do të qëndrojë në Kosovë, në fund të marsit.

Duke folur për veriun e Kosovës, kryeministri u shpreh se ekziston një plan, ai i Ahtisaarit, i cili do të zbatohet edhe atje, ndërsa ka deklaruar se dialogu me serbët e veriut do të ndodhë për integrimin e tyre në institucionet e Kosovës.

Kur u pyet në lidhje me deklaratën e presidentit serb, Tadiq, se Serbia do të organizojë zgjedhje në Kosovë, Thaçi dha këtë përgjigje:

“Serbia ka obligim të sillet në mënyrë evropiane në raport me Republikën e Kosovës dhe të gjithë fqinjët, andaj presim që të kemi një përkushtim të vendosur të qëndrimit dhe respektimit të kritereve evropiane edhe nga Serbia, ndryshe do të shfrytëzojmë gjithë autoritetin ligjor dhe kushtetues të forcës sonë demokratike për rend demokratik, zgjedhje të lira në kuadër të ligejve të Kosovës dhe njohjes së institucioneve të Kosovës prej qyetarëve që duan të marrin pjesë në zgjedhje që do t’i organizojmë”, tha kryeministri.

Po ashtu, pas shkrimeve në media se në veriun Kosovës është prezente Ministria e Brendshme e Serbisë, Thaçi ka thënë se në çdo cep të territorit të Kosovës do të ketë rend dhe ligj, e jo struktura kriminale.

Top Channel