Shefi i ekipit negociator serb, Borisllav Stefanoviç ka deklaruar se
dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit do të vazhdojë pas zgjedhjeve
parlamentare në Serbi.

“Dialog mes Prishtinës dhe Beogradit nuk do të ketë derisa të përfundojnë zgjedhjet tona parlamentare. Kjo është një gjë e mirë, sepse duhet të vijë një qeveri e re, me energji dhe kapacitete të reja, që mund të hyjë në këtë sfidë të vështirë”, ka thënë Stefanoviç për mediat serbe.

Ndër të tjera ai ka theksuar se marrëveshjet për lirinë e lëvizjes së KFOR-it dhe EULEX-it, për energjitikën dhe telekomunikacionin do të jenë të rëndësishme për marrjen e datës së nisjes së negociatave mes Serbisë dhe BE-së.

Stefanoviç ka thënë gjithashtu se Serbia nuk ka vendosur kufij me Kosovën dhe se ajo nuk e ka dhënë atë në këmbim të statusit të kandidatit për anëtarësimin në BE.

Më 24 shkurt, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshjen për përfaqësimin e Kosovës në nismat rajonale, me një fusnotë që do të përmbajë rezolutën 1244, vendimin e GJND-së për pavarësinë, si dhe një asteriks.

Kjo çështje kishte shkaktuar ndërprerjen për disa kohë të dialogut, pasi Prishtina insistonte në përfaqësimin e saj si shtet, ndërsa Beogradi këmbëngulte në rezolutën 1244.

Marrëveshja u përshëndet në masë nga faktori ndërkombëtar, si nga shefja e Politikës së Jashtme të BE, Catherine Ashton, sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, si dhe një seri zyrtarësh të tjerë.

Ajo u kundërshtua ashpër nga opozita kosovare me pretendimin se e kthen Kosovën në kohën kur qeverisej nga UNMIK-u, me një status të papërcaktuar.

Por kongresmeni amerikan Eliot Engel e vlerësoi atë, duke nënvizuar se Kosova do të ketë më shumë përfitime se sa humbje nga nënshkrimi i këtij pakti.

Top Channel