SHBA, shkatërrohet rrjeti i kontrabandës

03/03/2012 09:20

Autoritetet amerikane deklarojnë se kanë shkatërruar disa zinxhire ndërkombëtare kontrabande që mbërrinin në Shtetet e Bashkuara nga Kina, Taivani dhe Filipinet.

Në total 29 persona janë akuzuar për shpërndarje të cigareve kontrabandë, shitje të objekteve luksoze të falsifikuara në Shtetet e Bashkuara, si dhe për trafik droge.

Prokurorët deklaruan se mallrat e kontrabanduara ishin prodhuar në Kinë dhe vlera atyre arrinte në qindra miliona dollarë.

Të gjitha organizatat kriminale përdornin një port në Nju Xhersi për të futur mallrat në Shtetet e Bashkuara, saktësuan hetuesit.

Sipas tyre, agjentë të infiltruar përdorën përgjimin e telefonave për të shkatërruar atë që ata e quajtën një “komplot masiv”.

“Po të mos ishin kapur, mallra ilegale me vlerës rreth 200 milionë dollarë do të ishin trafikuar në vnedin tonë”, deklaroi hetuesi i Departamentit të Sigurisë së Brendshme, James Binkins.

“Përmasat e kësaj çështjeje dhe fakti që ne ndoqëm fijet e hetimeve që na çuan deri tek burimi, Kina, ku shumica e mallrave falsifikoheshin, tregojnë rrezikun e falsifikimeve dhe kontrabandës”, shtoi hetuesi.

Mes mallrave të falsifikuara të sekuestruara në portin Newark-Elizabeth ndodheshin edhe firma prestigjoze si “Burberry”, “Louis Vuitton”, “Gucci” dhe “Nike”.

Raportohet gjithashtu se kontrabandistët u përpoqën të fusnin në Shtetet e Bashkuara rreth 50 kilogramë metamfetaminë të kristaltë nga Taivani.

Dy nga personat e identifikuar si liderët e rrjeteve kriminale, taivanezët Hui Sheng shen dhe Huan Ling chang, mund të dënohen me burgim të përjetshëm.

Top Channel