Kubë, foto të Chavez pas operacionit

03/03/2012 00:00

Mediat kubaneze kanë publikuar fotot e para të presidentit venezuelian
Hugo Chavez që kur ai iu nënshtrua një operacioni pas dyshimeve për
ringjallje të kancerit.

Në foto, të cilat autoritetet thonë se janë bërë në spitalin e Havanës ku u krye operacioni, Chavez shfaqet i qeshur dhe duke ecur. Ai ka deklaruar se po e merr veten.

Në një bisedë telefonike me televizionin publik të Venezuelës, ai falenderoi popullin për “dashurinë e shprehur”. Zoti Chavez kishte një dëmtim tek zona e legenit, që sipas autoriteteve, i është hequr.

Megjithatë, nuk ka pasur një njoftim zyrtar nëse dëmtimi i ri ka qenë kancerogjen apo kur presidenti do të kthehet nga Havana.

“Nuk mund ta neglizhoj trajtimin për rekuperimin tim as edhe për një minutë”, deklaroi Chavez gjatë bisedës telefonike.

“Unë vazhdoj të marr veten falë mbështetjes së popullit venezuelian dhe atij kuban dhe falë mjekëve këtu në Kubë”, shtoi ai.

Operacioni i fundit u krye në një moment kur zoti Chavez po përgatitej për fushatën elektorale për rizgjedhjen e tij në presidencialet e tetorit.

Natyra e saktë e sëmundjes së presidentit të vendit latin nuk është bërë kurrë publike, duke bërë që të qarkullojnë zëra se shëndeti i tij është më rëndë nga sa thuhet në publik.

Top Channel