Kolumbi, dorëhiqet kryeprokurorja

03/03/2012 09:55

Kryeprokurorja e Kolumbisë, Viviane Morales ka dhënë dorëheqjen, disa ditë pasi një gjykatë vendosi se emërimi i saj në vitin 2010 ishte i pavlefshëm.

Zonja Morales deklaroi se po tërhiqej pasi vendimit të Këshillit të Shtetit e kishte bërë të pamundur qëndrimin e saj në detyrë. Ajo mbrojti performancën e saj duke deklaruar se kishte trajtuar çështjet më të mëdha të korrupsionit në Kolumbi.

Zonja Morales ka qenë në qendër të vëmendjes që vitin e kaluar kur u martua me një figurë të diskutueshme të një fraksioni guerrilasish.

Këshilli i Shtetit vendosi ditën e martë se zgjedhja e saj nga Gjykata Supreme ishte e pavlefshme për shkak të numrit të pakët të gjyqtarëve në momentin e votimit.

Presidenti Juan Manuel Santos, që emëroi Morales në këtë detyrë, shprehu keqardhjen e tij pas njoftimit të saj për largimin. Ai tha se ajo e kishte kryer detyrën me një “dinjitet të madh, efikasitet të madh, transparencë të madhe dhe me karakter”.

Në fjalimin e saj për dorëheqjen, zonja Morales deklaroi se gjatë drejtimit të saj zyra e prokurorisë ka ngritur akuza lidhur me çështjet më serioze që kanë të bëjnë me korrupsionin në Kolumbi. “Personat e akuzuara janë ose në burg, ose në arrati. Gjatë detyrës time nuk ka pasur të paprekshëm”, deklaroi Morales.

Ajo u shpreh se ka qenë viktimë e “sulmeve perverse dhe çnjerëzore” nga gazetarët dhe media, në përpjekje për të fuqizuar vendimin e saj për dorëheqje.

Top Channel