Ki Moon: Në Siri, krime ndaj njerëzimit

03/03/2012 08:45

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon ka deklaruar se autoritetet siriane kanë kryer në mënyrë të qartë krime në masë kundër popullsisë civile në vend.

Në një fjalim drejtuar Asamblesë së Përgjithshme, Ki Moon deklaroi se komuniteti ndërkombëtar ka dështuar në detyrën e tij dhe mungesa e veprimit ka inkurajuar liderët sirianë që të ushtrojnë represion ndaj civilëve.

Por nga ana tjetër, sekretari i përgjithshëm nënvizoi se militarizimi i opozitës siriane nuk është përgjigjia e duhur për zgjidhjen e këtij problemi. Ai foli teksa Kryqi i Kuq priste të siguronte aksesin në zonat e bombarduara të qytetit të Homsit.

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq deklaroi se i është refuzuar leja për të shpërndarë ndihma në lagjen Baba Amër, e cila është bërë objekt i bombardimeve të rënda nga forcat qeveritare në javët e fundit.

Presidenti i KNKK, Jakob Kellenberger deklaroi se bllokimi i organizatës ishte i papranueshëm. Ushtria e Lirë Siriane, e përbërë nga rebelët, deklaroi të enjten se po bënte një tërheqje taktike nga lagjia në fjalë.

Ditën e premte, zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut njoftoi se kishte marrë të dhëna për ekzekutime të frikshme të 17 personave në Homs.

Ndërkohë, Paul Conroy, një fotoreporter i “Sunday Times” që la Sirinë pasi u plagos në Homs, tha për BBC se ajo që po ndodh në Baba Amër është një “kasaphanë sistematike”.

Dy gazetarë francezë, të bllokuar nga bombardimet dhe më pas të transportuar nga Homsi në Liban janë kthyer me avion në një aeroport ushtarak jashtë Parisit.

Top Channel