Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga është nisur të shtunën për një
vizitë në Shtetet e Bashkuara, për të marrë pjesë në zhvillimet e një
forumi civil.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Presidenca e Kosovës përmes një komunikate për shtyp, në të cilën thuhet se zonja Jahjaga do të ndjekë samitin “Gratë nëpër botë”, të organizuar nga “Daily Beast” dhe “Newsweek”.
Përveç punimeve të samitit, Jahjaga do të vizitojë edhe univeristetin amerikan Dartmouth, ku do të mbajë një fjalim mbi arritjet dhe sfidat e Kosovës si shtet i pavarur.
Në komunikatën zyrtare thuhet më tej se presidentja do ta vërë kryesisht theksin tek proçesi i shtetndërtimit të Kosovës, që muajin e kaluar festoi 4-vjetorin e pavarësisë.
Në dhjetor të vitit të kaluar, zonja Jahjaga mori pjesë në një samit analog, kushtuar po gruas dhe rolit të saj, të organizuar nga sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton.
Top Channel