Kryetari i Komunës së Gostivarit, Rufi Osmani, vlerëson se në Maqedoni po krijohet bindje se shqiptarët janë të pambrojtur dhe të pasigurt. Në një intervistë për Top Channel, Osmani tha se vrasja e dy shqiptarëve në Gostivar nga polici maqedonas vjen si rezultat i infiltrimit të personave kriminogjen në strukturat e policisë dhe shtetit.

“Bëhet fjalë për infiltrim të personave kriminogjen në strukturat e policisë së shtetit. Elementi i dytë, bëhet fjalë për politika nacionaliste dhe albanofobe të cilat stimulohen nga institucionet shtetërore dhe ndaj të cilave nuk distancohen udhëheqësist më të lartë të këtij shtetit duke filluar nga presidenti, kryeministri, ministrja e Punëve të Brendëshme dhe thjeshtë është krijuar një bindje se shqiptarët janë të pasigurt dhe se ato mund të ndëshkohen nga të gjithë qytetarët dhe në këtë rast edhe nga personat e uniformuar. Është një klimë anti-shqiptare të cilën duhet ta ndërpresin ato që aktuliasht udhëheqin shtetin”, thotë Rufi Osmani, kreu i Komunës së Gostivarit.

Numri një i Gostivarit, tha se krahas ndëshkimit të policit vrasës duhet të ketë edhe përgjegjësi politike për vrasjen e dy të rinjve shqiptarë.

“Kjo përgjegjësi duhet ti adresohet MPB-së, udhëheqësve komandues të kësaj ministrie dhe udhëheqësit kryesor të vendit duhet të japin mesazhe për të tejkaluar këtë situatë dhe mos të lejojnë shqiptarët të fyehen në baza nacionale dhe të ndërpresin mediumet që paguhen nga parat tona që të krijojnë një klimë anti-shqiptare”, deklaron Rufi Osmani.

Vrasja e dy të rinjve shqiptar sipas z. Osmani, është një goditje e fortë për raportet ndëretnike në Maqedoni. Për të tejakluar këtë situatë, ai kërkoi nga drejtuesit maqedonas të shtetit të ndëpresin politikën anti-shqiptare.

Top Channel