Më i madh se sa pritej ka qenë interesi i kompanive të huaja për kërkimin e rezervave të naftës dhe hidrokarbureve në zonat detare të Greqisë.

Pas orës tre të mesditës të së premtes, kur edhe ka skaduar afati i dorëzimit të ofertave në Ministrinë greke të Ambientit, Energjisë dhe Ndryshimit Klimaterik, gjithesej tetë kompani prestigjioze nga më të njohurat në botë, kanë dorëzuar ofertat e tyre tek organet greke, për realizimin e kërkimeve sizmike dhe zbulimin e burimeve natyrore, të cilat do të realizohen në projekte dy dhe tredimensionale.

Bëhet fjalë për kompani tepër të njohura nga SHBA, Norvegjia, Franca, Anglia dhe Gjermania që veprojnë në mbarë botën. Vlerësimi i ofertave të tyre do të përfundojë në fillim të muajit prill, në mënyrë që kompanitë fituese të fillojnë menjëherë në muajt e verës kërkimet e tyre duke shpenzuar deri në 70 milion euro dhe deri në vjeshtë të ketë një interpretim të saktë të hartës së burimeve natyrore të Greqisë.

Për herë të parë në fund të këtij viti Athina zyrtare do të dije se sa nafte dhe hidrokarbure ka në territorin grek dhe cilat janë zonat ku duhet të fillojnë punimet për shfrytëzimin e rezervave.

Deri në korrik do të kenë filluar gjithashtu edhe kërkimet në tre parcelat naftëmbajtëse të Janinës, pranë kufirit shqiptar, në Gjirin e Patrës dhe Katakolon. Zv/ ministri grek i Ambientit Janis Manjatis që ka njoftuar për këtë zhvillim pozitiv për ekonominë greke edhe presidentin e vendit Karolos Papulias, ka deklaruar se në një horizont prej 15-20 vjet Greqia do të mund të sigurojë të ardhura deri në 20 miliard euro nga shfrytëzimi i rezervave të naftës vetëm në këtë zonë, që konsiderohen në gati 400 me 500 milion fuci nafte.

Top Channel