25 prej 27 vendeve që formojnë Bashkimin Europian nënshkruan të premten një traktat të ri, që do të forcojë disiplinën buxhetore brenda bllokut.
Marrëveshja synon të parandalojë që 17 vendet e Eurozonës të zhyten në borxhe të ngjashme me ato që kanë krijuar kriza të thella në Greqi, Irlandë apo Portugali.
Për të hyrë në fuqi, marrëveshja duhet të ratifikohet në parlamentet përkatëse. Britania e Madhe dhe Republika e Çekisë janë të vetmet vende që nuk u bënë pjesë e marrëveshjes.
Kryeministri i Britanisë së Madhe, David Cameron, u shpreh se nuk është e domosdoshme që të firmoset një traktat i ri për të zbatuar idetë e reduktimit të borxhit dhe rritjes ekonomike.
Ditën e enjte, Cameron u ankua se një letër me propozime drejtuar Brukselit, ishte injoruar prej drejtuesve të lartë europianë. Megjithatë, presidenti i rizgjedhur i Këshillit Europian, Herman van Rompuy, siguroi se propozimet britanike janë duke u marrë seriozisht në konsideratë dhe se ato do të përfshihen në përfundimet e samitit.
Kritikët e marrëveshjes vlerësojnë se pakti në thelb nuk do të sjellë asnjë risi, duke mbetur një gjest që vetëm sa do të sigurojë taksapaguesit gjermanë, spektikë për akordimin e kredive të reja për vendet në vështirësi me paratë e tyre.
Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, e konsideroi marrëveshjen një hap të madh përpara drejt krijimit të një qnëdrueshmërie politike dhe bashkimi politik.
Për herë të parë, traktati u propozua në një samit të BE-së në dhjetor dhe ai ishte i destinuar për të 27 vendet, por pasi Britania vendosi atëherë veton e saj, traktati u ripunua për t’u kufizuar tek 17 vendet e Eurozonës, me shtetet e tjera të BE-së që kanë të drejtë të marrin pjesë në marrëveshje me të drejta të cunguara.
Top Channel