Policia e qytetit të Vlorës ka arritur të zbardhë rrethanat e atentatit me armë zjarri të së mërkurës në lagjen 28 Nëntori, ku mbeti i plagosur shtetasi Zaho Danaj.
Burime policore nga qyteti bregdetar bëjnë të ditur se atentati ka ardhur pasi djali i 55-vjeçarit u detyrohet një shumë prej 30 mijë eurosh autorit dhe vëllait të tij.
Burimet saktësojnë se dy vëllezërit Ermal dhe Paulo Sakaj prej një viti janë në konflikt me Tori Danaj, pasi ky i fundit prej kohësh nuk po u shlyen borxhin që u detyrohet.
Ngjarja ndodhi rreth orës 18:30 të së mërkurës, në afërsi të ish-Shtëpisë së Oficerëve, ku atentatori, që po udhëtonte me motor, nxorri armën tip “Kallashnikov” dhe qëlloi duke plagosur 55-vjeçarin, i cili ishte duke ecur në trotuar.
Policia, e cila shkoi në vendngjarje, shoqëroi të plagosurin për në spital, si dhe mori në pyetje banorët e zonës dhe disa persona që mendohej se kishin djeni për ngjarjen.
Me të mbërritur në spital, shtetasi Zaho Danaj iu nënshtrua një operacioni në këmbë, pasi kishte marrë dy plumba dhe aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërsa autori i ngjarjes u largua me shpejtësi nga skena e krimit në bordin e motorit të tij, duke u futur në rrugicat e lagjes 28 Nëntori.
Top Channel