Trami në Tiranë, BERZH thotë “ndoshta”

01/03/2012 08:05

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim publikoi së fundmi njoftimin për punësimin e një kompanie konsulence për përgatitjen e konçesionit për stacionin e autobuzëve të Tiranës.

Në njoftimin në fjalë, premtimi elektoral i famshëm tashmë për ndërtimin e linjave të tramit në kryeqytetin shqiptar vendoset në kontekstin e një faze të dytë që ndoshta do të zbatohet.

Kryebashkiaku aktual Lulzim Basha e bëri premtimin për ndërtimin e tramit gjatë fushatës elektorale vitin e kaluar, një premtim ky që vijon të përsëritet herë pas here.

“Projekti do të mbështesë ndërtimin e platformave të autobusit, hapësirave tregtare dhe ambienteve të parkimit gjatë Fazës I-rë, dhe ndërtimin e një stacioni të ri trami/treni në pjesën veriore të sheshit gjatë një faze të mundshme të dytë”, thuhet në njoftimin e BERZH.

Nuk është e qartë se kur mund të vijë kjo fazë e dytë, gjatë së cilës, një stacion trami mund të mbërrijë në Tiranë për herë të parë në historinë e vendit dhe diku 150 vjet më vonë nga sa mbërriti kjo teknologji në kryeqytetet e tjera të Europës.

Por është e qartë se kostoja e ndërtimit të tramit është tepër e lartë për kryeqytetin e një vendi me PBB për frymë ende vetëm 5 mijë USD në vit.

Koncesioni

Qeveria shqiptare i ka dhuruar Bashkisë së Tiranës rreth 82 mijë metra katrorë tokë pranë Kthesës së Kamzës dhe Bashkia ka vendosur ta japë këtë tokë me koncesion, (dmth falas) për një kompani private, e cila do të ketë për detyrë të ndërtojë një sallë pritjeje, disa dyqane si dhe të asfaltojë e vijëzojë sheshin për të rezervuar vende për autobuzët si dhe taksitë.

Me pak fjalë, do të kemi jo ndonjë gjë më të madhe se sa një kioskë, ku do të ketë dyqane. Sipas dokumentit të BERZH, në Tiranë ka aktualisht 280 autobuzë të standardë dhe stacioni i ri i autobuzëve do të shërbejë edhe si qendër tregtare.

“Duke parë potencialin e lartë të fluksit të pasagjerëve në terminal, koncesionari do të ketë mundësi të përfitojë të ardhura të mëdha nga dhënia me qera e dyqaneve, përvecc të ardhurave nga tarifat për autobuzët dhe parkimet”, thotë BERZH, duke paralajmëruar gjithashtu se aktualisht ka një numër të madh vendesh informale ku autobuzët dhe furgonat marrin pasagjerë për linjat e rretheve.

BERZH ka dhënë aktualisht 500 mijë euro për të kryer studimet e nevojshme për përgatitjen e dokumenteve të tenderit, të cilat do t’i kalojnë koncesionarit që do të marrë tokën nga shteti dhe do të kryejë ndërtimin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA