Shqiptarët e Luginës së Preshevës ende nuk kanë kushte për një jetë normale në Serbi.

Ata kanë kërkuar që Qeveria e Beogradit të tregojë vullnet politik dhe janë shprehur të brengosur, siç kanë thënë, për eksodin e vazhdueshëm të shqiptarëve nga këto zona në jug të Serbisë.

Deputetët shqiptarë të tri Kuvendeve kanë dalë me një platformë politike për kërkesat e shqiptarëve.

Pikërisht, njëzet vjet më pare, në Luginën e Preshevës ishte mbajtur një referendum në të cilin thuhej se kjo zonë kërkon që në rast të ndryshimit të kufijve t’i bashkohet Kosovës dhe të respektohen të drejtat e shqiptarëve pa diskriminime politike që ende janë të pranishme.  Këtë e ka konfirmuar edhe deklarata e re.

“Rikonfirmojmë qëndrimin e shprehur në platformën politike të vitit 2006, për respektimin e vullnetit të popullatës të shprehur me referendumin e vitit 1998 dhe përkrahjen e dhënë statusit të përcaktuar të Kosovës. Me këtë rast, ritheksojmë detyrimin që në rast të ndryshimit eventual të kufinjve, të angazhohemi për bashkangjitje të Luginës së Preshevës, me Kosovën”, u shpreh Shaip Kamberi, kryetari i Bujanovcit.

Në deklaratën e Kuvendit të Shqiptarëve konstatohet se Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës, shtete demokratike të antarësuara në strukturat euro-atlantike, së bashku, me shtetet tjera ballkanike janë garanci e stabilitetit rajonal dhe kërkohet nga institucionet e Shqipërisë dhe të Kosovës angazhim maksimal politike diplomatik për mbrojtjen e interesave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, duke sforcuar angazhimin për respektimin e parimit të reciprocitetit politik, ekonomik dhe tregtar me  serbët e Veriut të Kosovës.

Ashtu si edhe nga ndërkombëtarët, shqiptarët kërkojnë nga autoritetet në Kosovë dhe Serbi eliminimin e gjitha pengesave administrativo-financiare në vendkalimet kufitare dhe krijimin e kushteve të qarkullimit të lirë të qytetarëve.

Top Channel