Vlorë, atentat me armë zjarri

29/02/2012 00:00

Një kalimtar në qytetin e Vlorës mbeti i plagosur pasditen e së mërkurës si pasojë e një breshërie të shtënash me armë zjarri.

Ngjarja ndodhi rreth orës 18:30, në afërsi të ish-Shtëpisë së Oficerëve, në lagjen 28 Nëntori, ku një person me motor nxorri armën tip “Kallashnikov” dhe qëlloi në drejtim të një automjeti i cili ishte parkuar në anë të rrugës.

Nga të shtënat e armës u plagos një kalimtar i rastit, i cili ishte duke ecur në trotuar. Policia, e cila shkoi në vendngjarje, shoqëroi të plagosurin për në spital, si dhe mori në pyetje banorët e zonës dhe disa persona që mendohet se kanë djeni për ngjarjen.

Po ashtu, burimet nga policia e Vlorës bëjnë me dije se personi që qëlloi me armë u larguar me shpejtësi me motor nëpër rrugicat e lagjes.

Ndërkohë i plagosuri, 55-vjeçari Zaho Danaj, i është nënshtruar një operacioni në këmbë, pasi kishte marrë dy plumba dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Paraprakisht policia thotë se ngjarja mund të këtë ndodhur për motive banale. Autori është identifikuar dhe po punohet për kapjen e tij.

Top Channel