Gjykata europiane ka dënuar Greqinë me gjobë për kushtet çnjerëzore në burgjet e saj.
Procesi gjyqësor i filluar prej 12 grekëve dhe një somalezi në vitin
2009 përfundoi me dënimin e Greqisë dhe detyrimin e saj të
dëmshpërblejë me nga 7-15 mijë euro paditësit.

Gjyqi, i cilësuar që në fillim një lojë e humbur për qeverinë greke, u mbyll në favor të paditësve pasi gjykata vlerësoi se kushtet e jetesës në burgun e Janinës janë çnjerëzore.

Për të mbështetur akuzën ajo pranoi ekspertizën e avokatit grek të popullit, në të cilën kushtet e jetesës për qindra të burgosur në këtë burg përshkruhen si tepër të ashpra.

Në këtë burg mungon higjena më minimale, banjat apo uji i ngrohtë. Nuk ka asnjë shans për profilaksi mjekësore, ndërsa në qeli të vogla të përshtatshme për dy vetë mbahen deri në 6 të dënuar.

Gjykata pranoi se në këtë burg të dënuarit mbahen për 18 orë të detyruar të shtrihen në krevate në qelitë e tyre dhe lihen për ajrim vetëm pak minuta të ditës ose aspak nëse kushtet e motit nuk janë të mira.

Vendimi i gjykatës është i formës së prerë. Greqia detyrohet të paguajë shumën e dëmshpërblimeve brenda tre muajve. Ky vendim quhet historik prej ekspertëve të çështjeve ligjore. Ai i hap rrugë fillimit të maratonave gjyqësore edhe prej mijëra të dënuarve të tjerë.

Ai nuk ka vetëm vlerë për dëmshpërblimin ekonomik, por mundëson ndërkombëtarizimin e situatës tragjike në burgjet greke që shpesh konsiderohen si Alkatrazet europiane.

Top Channel