Radikalët serbë kanë paralajmëruar një protestë kundër integrimit dhe politikës, siç thonë ata, të dështuar për integrim në BE.

Ndonëse presidenti serb, Boris Tadic, në një intervistë për televizionin B92, ka deklaruar se duhet pritur edhe pak për të festuar ose jo, politikanët serbë kanë shprehur optimizëm dhe sugjerimin e ministrave të punëve të jashtme të BE-së e kanë marrë si miratim të statusit të kandidatit për Serbinë.

Tadic ka vlerësuar se ka ende shumë punë për t’u bërë, megjithatë ky është një test për politikën Evropa dhe Kosova, por sipas tij, nuk ka mundësi të tjera.

Partia Progresiste e Serbisë ka vlerësuar se ky është një rast i mirë, por nuk do të sjellë një përmirësim të menjëhershëm të jetës në Serbi. Aleksandar Vucic, nënkryetar i kësaj partie, ka vlerësuar se duhet ndërtuar jetën më të mirë. Ai ka thënë se shumica e vendeve në rajon e kanë marrë këtë status shumë vite më parë dhe pavarësisht procesit, duhet shumë punë.

Ish-kryeministri Vojisllav Koshtunica, ka thënë se Serbia ka pranuar që brenda territorit të saj ekziston edhe shteti i Kosovës, sic e ka quajtur ai, me yll. Dhe, sipas tij, Serbia është shpërblyer për këtë gjë.

Ndërsa liberaldemokrati Cedomir Jovanovic, ka vlerësuar se kjo është një arritje e madhe dhe tani duhet të punohet për datën e fillimit të bisedimeve për integrim.

 

Top Channel