SHBA, Romney fiton në dy shtete

29/02/2012 09:30

Kandidati për të fituar emërimin për president nga republikanët në SHBA, Mitt Romney, arriti një fitore të rëndësishme në zgjedhjet partiake në Miçigan dhe Arizona.

“Nuk fituam me një diferencë të madhe, por fituam dhe kjo është ajo që ka rëndësi”, u shpreh Romney pas fitores së arritur, mëngjesin e së mërkurës (me orën shqiptare).

Në Arizona, Romney fitoi me 47% të votave, ndërsa la pas Rick Santorum edhe në Miçigan, me 41% ndaj 38%.

Sipas ekspertëve, Miçigani është një tregues i madh në fushatën zgjedhore të Romney. Ai u lind në këtë shtet, ku njëkohësisht babai i tij ka drejtuar si guvernator, por më parë nuk kishte arritur të fitonte përkrahje të gjerë për shkak të kundërshtimit të tij nga konservatorët.

Ish-folësi i Kongresit Amerikan, Neët Gingrich dhe kongresmeni teksan, Ron Paul, regjistruan rezultate të dobëta në të dy shtetet, por kjo ishte diçka e pritshme, duke patur parasysh që bënë fushatë, duke zgjedhur të përqendrohen në shtetet ku do të votohet javën e ardhshme dhe ku duket se kanë shanse të mira për të fituar.

Gjatë fjalimit të mbajtur pas fitores, Romney përsëriti programin e tij për “më shumë vendet pune, më pak borxhe dhe një qeveri më të vogël. Duhet ta përsërim këtë përditë. Nuk mund t’i lejojmë vetes edhe katër vjet të tjera nën drejtimin e Barack Obamës”.

Nga ana e tij, Santorum u shpreh i kënaqur për rezultatin, ndërsa theksoi se arriti një diferencë të ngushtë në një shtet ku Romney pritej të fitonte me diferencë.

Fituesi i garës midis republikanëve do të përballet në zgjedhjet e nëntorit ndaj presidentit aktual, Barack Obama. Për të fituar emërimin, një kandidat duhet të grumbullojë përkrahjen e 1 144 delegatëve. Aktualisht, Romney llogarit 152 të tillë, ndërsa Santorum, i dyti, ka 72 delegatë.

Top Channel