Disa dhjetra nacionalistë serbë kanë protestuar të mërkurën në Beograd kundër anëtarësimit të vendit të tyre në Bashkimin Evropian.

Sipas mediave ballkanase, duke mbajtur parulla anti-evropiane dhe të shoqëruar nga anëtarë të Partisë Radikale Serbe, protestuesit kanë marshuar drejt zyrës së presidentit Tadiç.

Dragan Todoroviç, anëtar i kësaj partie, ka deklaruar se janë mbledhur firmat e rreth 200 mijë serbëve që kundërshtojnë anëtarësimin e vendit në BE, që sipas tij do të ishte një katastrofë.

Gjithësesi, protestuesit kur i janë afruar selisë së presidencës janë ndalur nga forcat e policisë, të cilat nuk kanë ushtruar dhunë, saktësojnë burimet.

Ditën e martë, ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian rekomanduan dhënien e statusit të kandidatit për Serbinë, me argumentin se i plotësoi kushtet duke nënshkruar marrëveshjen me Kosovën.

Vetë presidenti Tadiç, në reagimin e tij vlerësoi se marrja e statusit ishte një test për politikën e tij “Edhe Evropa, edhe Kosova”.

Ndërsa ish-kryeministri Vojisllav Koshtunica tha se Serbia pranoi se brenda territorit të saj ekziston edhe shteti i Kosovës “me yll” dhe se për këtë gjë Serbia u shpërblye.

Ndërsa liberaldemokrati Çedomir Jovanoviç vlerësoi se kjo ishte një arritje e madhe për Serbinë dhe se tani duhet të punohet për datën e fillimit të bisedimeve për integrimin.

Top Channel