Rivalët e lehtë të Vladimir Putin

29/02/2012 20:20

Zyrtarisht, Vladimir Putin ka katër rivalë në zgjedhjet për president të së djelës në Rusi. Praktikisht, asnjëri prej tyre nuk është një kundërshtar i vërtetë.

Pesë javë përpara zgjedhjeve, lista e kandidatëve ishte gati, por për kryeministrin rus, asnjë nga emrat aty nuk paraqet rrezik.

Rivalët janë më së shumti politikanë të njohur, Vladimir Zhirinovski, udhëheqës i partisë së djathtë Populiste Liberaldemokrate, Sergej Mironov i partisë Rusia e Drejtë, e cila deri tani konsiderohej si e afërt me Kremlinin, Gennadi Zjuganov, kreu i Partisë Komuniste, të cilët bënë të njëjtën tentative edhe në të kaluarën, por më kot.

I vetmi emer i ri është ai i biznesmenit Mihail Prohorov, pavarësia e të cilit nga Kremlini vihet në dyshim prej vëzhguesve. Kandidatët e tjerë u elemininuan nga komisioni i zgjedhjeve me pretendimin se nuk kishin numrin e nevojshëm të firmave.

Mes tyre është edhe themeluesi i partisë me orientim reformator “Jabloko”, Grigori Javlinski. Një e katërta e nënshkrimeve të paraqitura prej tij, siç u tha, nuk permbushte udhezimet. Vëzhguesit kritikojnë në radhë të parë kohën e shkurtër që kandidatët paten ne dispozicion per mbledhjen e firmave.

Andrej Busin i OJQ-së së pavarur ruse “Golos”, tregon se në fakt për të gjithë kandidatët ka qenë e pamundur që me rrugë të ndershme të mbledhin dy milionë nënshkrime brenda një muaji, dhe kjo edhe gjatë ditëve të festave të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri.

Rritja e pakënaqësisë në popull për shkak të korrupsionit galopant dhe mungesa e reformave të vërteta politike, mund ta çojnë Putin në balotazh, thotë “Washington Times”, por edhe nëse kjo ndodh, përsëri ka pak arsye për t’u shqetësuar.

Anketimet e agjencive qeveritare tregojnë se ai do të marrë e pakta 59% të votave, ndërsa për rivalin më të afërt, liderin e Partisë Komuniste, Zjuganov, parashikohet një nivel prej 10 apo 15 përqindësh, jo më shumë.

Top Channel