Goditja vjen nga nafta

29/02/2012 15:05

Ekonomia globale po kërcënohet nga një tjetër goditje që pak kush e priste. Shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristinë Lagard paralajmëroi dy ditë më parë se vec krizës së borxheve tani ekonomia botërore rrezikohet edhe nga rritja e çmimit të naftës, që po shkaktohet nga tensionet në Iran, por edhe rritja e kërkesës për shkak të dimrit të ashpër.

Gjatë shkurtit çmimi i naftës në bursat ndërkombëtare është rritur me gati 10.3 përqind, dhe vetëm ditët e fundit çmimi ka nisur të ulet. Këto lëvizje të tregjet ndërkombëtare, janë pasqyruar me shpejtësi edhe në tregun vendas. Në disa pika me pakicë të kryeqytetit një litër benzinë tregtohet me 193 lekë, ndërsa për naftën çmimi varion nga 184 deri në186 lekë.

Krahasuar me fillimin e vitit çmimi i karburanteve për qytetarët është rritur me 7-8 lekë për litër. Kjo rritje cmimesh ka prekur jo pak edhe prodhimin vendas. Sinjalet  e para të rënies se prodhimit ka nga sektori i bujqësisë, veçanërisht prodhimi në sera që përdorin lëndë djegëse për ngrohje  dhe nga industria  e ndërtimit, veçanërisht ajo e prodhimit të çimentos ku çmimi i lartë ka rritur kostot e prodhimit.

Por përveçse shkaqeve që vijnë nga jashtë, çmimi i karburantit në tregun vendas lidhet ngushtësisht edhe me faktorë të brendshëm. Rritja e akcizës së karburantit dhe ndryshimi i taksës për automjete  që është transferuar në shitjen e karburantit, kanë qenë dy arsye shtesë që rritën çmimin.

Importuesit përveçse rritjes së çmimit në tregun ndërkombëtar, fajësojnë edhe tarifat e larta të magazinimit pranë depozitave portuale. Sipas tyre pjesa më madhe e çmimit përcakohet nga taksat dhe fare pak shkon si pjesë fitimi për kompanitë e shitjes së karburantit.

Kjo rritje e çmimit të naftës në këto nivele, sikundër paralajmëron edhe FMN do të jetë jo me pak efekte negative në rritjen e inflacionit dhe tkurrjen e konsumit të brendshëm, që është sot edhe “Thembra e Akilit” për ringritjen e ekonomisë.
Kur INSTAT mati inflacionin në janar të këtij viti vërejti se vetëm nga rritja 1.8 përqind e çmimit të naftës dhe 1 përqind e çmimit të benzinës, pati një efekt në transport me 1. 3 përqind më shumë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA