Kongresmeni amerikan Eliot Engel ka rikonfirmuar mbështetjen e tij për integrimin e vendeve të Ballkanit, duke deklaruar se e ardhmja e Kosovës dhe Serbisë është familjen evropiane BE.

“E ardhmja e Kosovës, e Serbisë dhe e të gjitha vendeve të Ballkanit është brenda strukturave kryesore euro-atlantike, NATO-s dhe Bashkimit Evropian”, ka deklaruar Engel.

I cituar nga “REL”, Engel ka nënvizuar se, “vendet e rajonit ndajnë një fat të përbashkët dhe duhet të vlerësohen nga standartet e përbashkëta të respektit për fqinjët e tyre”.

Më tej, kongresmeni ka përshëndetur marrëveshjet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë, duke vlerësuar se ajo do t’i mundësojë Kosovës që të paraqitet me stemën e emrit të vetë.

Ai ka vlerësuar gjithashtu kryeministrin kosovar Hashim Thaçi, “për marrjen e një vendimi të guximshëm dhe të vështirë për të çuar proçesin përpara”.

“Kjo marrëveshje, e pritur gjatë, u arrit pasi Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian siguruan se Serbia nuk do të bllokojë më pjesëmarrjen e Kosovës si shtet i pavarur në tryezat rajonale”, ka pohuar Engel.

Ai ka shtuar se sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton ka një meritë të veçantë në garantimin e të drejtave të Kosovës si një shtet i pavarur dhe sovran.

“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbeten përkrah Kosovës dhe miqve të tyre në Ballkan dhe në mbarë botën”, ka shtuar kongresmeni.

Top Channel