Egjiptianët sërish në votime

29/02/2012 17:50

Egjiptianët do t’u drejtohen sërish kutive të votimit, këtë herë për të zgjedhur presidentin e tyre, i pari në periudhën post-Mubarak.

Komisioni Elektoral në Kajro njoftoi se më 23 dhe 24 maj do të hapen qendrat e votimit për të votuar për presidentin e vendit, ndërkohë që 16 dhe 17 qershori janë datat e përcaktuara për mbajtjen e një turni të dytë zgjedhjesh në rast të një balotazhi në raundin e parë.

Aktualisht ka një sërë figurash kombëtare egjiptiane që kanë shprehur ambicien e tyre politike për t’u vendosur në krye të shtetit, mes tyre janë emra liberalë dhe ata ekstremistë. Por zyrtarisht këto kandidatura do të kenë mundësinë për t’u regjistruar në listën e kandidatëve nga data 10 mars deri në 8 prill.

Ndërkohë, ai që nga të gjithë shihej si kandidati më i fuqishëm për president të Egjiptit, që kishte mbështetjen e pjesës më të madhe të egjiptianëve dhe ndoshta një përkrahje ndërkombëtare, El Baradei, pak javë më parë njoftoi se nuk do të kandidojë për këtë post. Vendimin ai e arsyetoi si një protestë kundër Këshillit Suprem Ushtarak që qeveris aktualisht vendin, për masat e tij legjislative. Megjithatë duhet pritur përfundimi i datës 8 prill për të mësuar nëse El Baradei do të jetë apo jo në kandidat për president të Egjiptit.

Top Channel