Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian i hapën dritën jeshile Serbisë për të marrë statusin e vendit kandidat për në BE.

Pas disa orëve të gjatë diskutimesh, të 27 Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së, ranë dakort për dhënien e statusit të kandidatit për Beogradin. Në orët e para të diskutimit, ky status u bllokua nga Rumania e cila kërkonte më shumë garanci për minoritetin vlleh në Serbi, që është rreth 30 mijë persona.

Nëpërmjet një postimi në rrjetin social Twitter, Ministri i Jashtëm suedez, Bildt u shpreh i kënaqur për këtë përfundim të arritur nga takimi i kryediplomatëve të BE-së. Megjithatë, para se të zyrtarizohet, Serbia ka edhe një pengesë të fundit për të kapërcyer, atë në samitin e BE-së që mbahet ditën e enjte, ku do të shtrohet propozimi i Ministrave të Jashtëm të BE-së për dhënien e statusit të vendit kandidat për Serbinë.

Serbia në muajt e fundit të 2011-s humbi mundësinë e marrjes së statusit të vendit kandidat për shkak të Kosovës. Vendet e Bashkimit Europian kushtëzuan Beogradin në arritjen e një marrëveshje me Prishtinën që do të normalizonte marrëdhëniet në rajon e do të mundësonte njëkohësisht edhe lëvizjen e lirë të qytetarëve.

Kjo kërkesë e Brukselit u përmbush nga Serbia pak ditë më parë me arritjen e një marrëveshje me Kosovën për përfaqësimin e kësaj të fundit në nismat rajonale me fusnotë dhe sipas rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit.

Kjo marrëveshje u kritikua ashpër nga opozita në Kosovë, e sidomos nga Lëvizja Vetëvendosje që e quan atë si “heqje dorë nga Republika”. Për të kundërshtuar këtë, ditën e hënë, Vetëvendosje organizoi një protestë para godinës së qeverisë së Kosovës ku pjesëmarësit akuzuan kryeministrin Thaci se po shet Kosovën duke hequr dorë nga termi Republikë.

Top Channel