Tkurrja e vazhdueshme e shtresës së akullit në Arktik fajësohet për dimrat gjithmonë e më të ftohtë e me reshje më të shumta dëbore në Britaninë e Madhe dhe në pjesë të tjera të Europës, Amerikës së Veriut dhe Kinës.
Me rritjen e temperaturave globale, pjesët e oqeanit Arktik, të mbuluara nga akulli në verë dhe vjeshtë, janë pakësuar.
Kjo, sipas studimit të një ekipi shkencëtarësh amerikanë e kinezë, ndikon direkt mbi rrymat nënujore duke sjellë për pasojë një mot të acartë e me reshje të dendura dëbore.
Një përkeqësim i menjëhershëm i shtresës së akullit në Arktik nisi të vihet re në periudhën mes verës së vitit 2006 dhe 2007, kur u shënua dhe rekordi i tkurrjes së sipërfaqes së bardhë, që ende nuk është rekuperuar.
Ky dimër ishte veçanërisht i ashpër, me një valë të ftohti siberian që goditi pa paralajmërim Europën qendrore dhe atë lindore pas temperaturash gati pranverore.
Përmes vëzhgimit dhe modeleve kompjuterike, ekipi i drejtuar Jiping Liu i Institutit Teknologjik të Georgias, në Shtetet e Bashkuara, hedh dritë edhe mbi mekanizmat e përfshirë.
U bënë katër dimra që në pjesën më të madhe të veriut të Amerikës, në Azine lindore dhe në Europë ka patur reshje dëbore mbi normalen, thotë Liu.
“Nuk kemi konstatuar ndonjë lidhje mes këtij fenomeni dhe faktorëve të tjerë të propozuar si për shembull El Nino, por shtresa e akullit ka patjetër ndikim”, shton studiuesi.
Nëse në vjeshtë akulli mbi oqean është më i pakët, atëherë lëshohet më shumë nxehtësi dhe atmosfera ngrohet. Kjo redukton diferencën e temperaturave mes Arktikut dhe gjerësive gjeografike më në jug, mbi oqeanin Atlantik.
Për rrjedhojë, rryma veriore detare forcohet, duke sjellë mot më të butë dhe avullimi ekstra nga oqeani Arktik prodhon më shumë lagështirë në ajër. Pas kësaj, një pjesë e këtij uji shtesë rikthehet në Tokë në formën e dëborës.
Kërkimet në institucione të tjera të specializuara e kanë mbështetur këtë argument, duke theksuar se shtresa e akullit është vetëm një nga faktorët që po ndikojnë në ndryshimet klimaterike të globit.
Top Channel