Romney-Santorum kacafyten për ekonominë

28/02/2012 09:40

Rivalët republikanë në Shtetet e Bashkuara, Mitt Romney dhe Rick Santorum kanë sulmuar njëri-tjetrin në ditën e fundit të fushatës para dy zgjedhjeve primare, në Miçigan dhe Arizona.

Zoti Romney i ka bërë thirrje zotit Santorum, që i ka kthyer çështjet sociale në qendër të fushatës së tij, që të fokusohet tek ekonomia.

“Nëse ekonomia do të jetë çështja ku do të përqendrohemi, kush e ka eksperiencën e duhur që ta ngjallë këtë ekonomi sërish?”, tha Romney para mbështetësve të tij. Ai u shpreh se, zoti Santorum është një djalë i mirë, por nuk do të mund të krijonte vende pune.

“Unë e kuptoj përse puna shkon e vjen, e kuptoj çfarë u ndodh fitimeve të korporatave dhe ku shkojnë ato nëse i merr qeveria. Mendoj se për të krijuar vende pune duhet të kemi president një njeri që e ka pasur një punë, dhe unë e kam pasur”, theksoi Romney.

Nga ana tjetër, zoti Santorum u tha mbështetësve të tij se ishte një “shaka” për zotin Romney që ta sulmonte atë për faktin se nuk është treguar aq konservator sa duhet.

Ish-senatori u tall duke thënë shprehjet “shkencë klimaterike” dhe “ndihma për Wall Street”, duke iu referuar qëndrimeve legjislative të ish-guvernatorit.

Gjithashtu, ai përdori një editorial në “Wall Street Journal” për të vënë në dukje inciativat e tij kryesore në fushën e ekonomisë.

Sondazhet e fundit tregojnë zotin Romney me një kryesim të lehtë në Miçigan, shteti ku ai është rritur. Analistët thonë se fitorja në Miçigan është thelbësore për ish-guvernatorin e Masaçusets, që ka luftuar për të vendosur një raport solid me votuesit republikanë.

Fituesi eventual i nominimit do të përballet në zgjedhjet e nëntorit me presidentin Barack Obama, i cili garon për një mandat të dytë dhe kryeson në sondazhe ndaj dy republikanëve.

Top Channel