Edhe pse liderët europianë miratuan një paketë të re ndihme financiare për Greqinë, kompania e kreditimit “Moody’s” mendon se rreziku që Athina të mos jetë në gjendje të paguajë boxhet e saj, mbetet i lartë.
Dorëzania 172 miliardë dollareshë konsiderohet një hap i rëndësishëm përpara nga firma e shërbimeve financiare, por borxhi i Greqisë do të vazhdojë të mbetet i lartë për vite të tëra dhe nuk do të jetë e largët dita kur Athina mund të gjendet në situatën që të mos sigurojë dot më hua të reja në tregjet financiare botërore.
Për analisten e agjencisë, Sarah Carlson edhe rezultati i zgjedhjeve që pritet të mbahen në muajin prill përbën një burim rreziku si politik, ashtu dhe në drejtim të implementimit të masave të kërkuara.
Kreditorët e mëdhenj privatë ranë dakort për një të ashtuquajtur “qethje të borxhit”, apo eliminimin e gjysmës së huasë që Greqisë i duhet të paguajë, që do të thotë një reduktim me gati 142 miliardë dollarë.
Por Carlson mendon se kjo ka edhe anën e vetë negative. Nëse mbajtësit e obligacioneve, thotë ajo, do të kalojnë në veprim vërtet, atëherë “qethja” e bonove qeveritare greke do të konsumojë praktikisht të gjithë kapitalin bazë të sistemit bankar.
Vlerësimi i zymtë i “Moody’s” erdhi në kohën kur Parlamenti grek e miratoi me lehtësi paketën e ndihmave, ndërsa anketat e opinionit në vend treguan se gjermanët e kundërshtonin në shumicë dërrmuese ndihmën e mëtejshme për Greqinë.
Gazeta më e madhe gjermane, “Bild”, kishte dhe një kryeartikull ku thuhej “Ndal” dhe u bënte thirrje deputetëve të votonin kundër ndihmës për shtetin helen.
Grekët urrejnë Gjermaninë
Megjithëse ligjvënësit e Bundestagut miratuan me shumicë votash paketën e ndihmës për Athinën, opinioni publik në Greqi ngelet ende armiqësor ndaj Berlinit.
Kriza financiare dhe portretizimi i mëvonshëm i grekëve nga disa politikanë gjermanë dhe sidomos nga disa media, si të pandershëm dhe dembelë, ka shkaktuar muajt e fundit zemërim dhe indinjim tek ata, pavarësisht se Gjermania jep pjesën më të madhe të 130 miliardë eurove të huasë.
“Ne duhet punojmë së bashku me të gjithë grekët këtu për të dalë nga këto telashe dhe probleme sa më shpejt qe të jetë e mundur”, deklaron Wolker Clar, një shtetas gjerman që jeton në Greqi.
Flamujt gjermanë që janë djegur në protestat e fundit dhe parrullat kundër Berlinit kanë treguar se asnjëherë zemërimi ndaj Gjermanisë nuk ka qenë në këtë nivel, madje as pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtimi nazist i shkaktoi Greqisë dhjetëra mijëra viktima.
Sipas sondazhit të së përjavshmes politike “Epikaira”, mbi 76% e grekëve e konsiderojnë armiqësor qëndrimin e gjermanëve ndaj Athinës.
“Ata mendojnë se është imperializmi gjerman, se gjetën vendin më të dobët në eurozonë që quhet Greqi dhe përpiqen për ta pushtuar atë me mjete të tjera, me mjete financiare”, deklaron Ilias Livanis, botues i revistës “Epikaira”.
Gjithashtu, 8 në 10 grekë kanë mendim negativ për kancelaren Merkel, të cilën shumë media vendase e kanë paraqitur në faqet e tyre të veshur me uniformë naziste.
“Njerëzit përpiqen për të gjetur një fajtor që nuk ndodhet brenda, por jashtë vendit. Kjo i bën gjërat më të lehta, sepse tani situata në Greqi është me të vërtetë e tmerrshme”, shprehet Ulrike Drissner, zv/drejtoreshë e Institutit Gëte në Athinë.
Ndërkaq, në lajmet e para të mediave është sot deklarata e deputetes së të majtës gjermane në Bundestag, Haike Hansel. “Jemi të gjithë grekë”, deklaroi ajo në greqisht, duke protestuar për paketën e masave të dhimbshme dhe duke shkaktuar zemërim në të gjithë Greqinë.
Top Channel