Kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi mendon se fjalën e fundit për sa i përket kushtetueshmërisë së marrëveshjes me Serbinë për përfaqësimin rajonal e ka Gjykata Kushtetuese.

Ai i bëri këto komente pas mbledhjes së kryesisë ndërkaq vihet re se qëndrimi i tij është zbutur pasi sic e theksoi vetë kryetari i kuvendit kjo marrëveshje ka marrë mbështetjen e SHBA-së dhe Bashkimit Europian.
 
Kryeparlamentari kosovar nuk mundi të përgjigjet në pyetjen nëse marrëveshja duhet të ratifikohet në Kuvend nga 2/3-at e votave. Kjo sepse as Kryetari i Kuvendit nuk e di se nëse ajo për cfarë janë dakorduar Prishtina- Beogradi dhe Brukseli është marrëveshje ndërshtetërore apo konkluzë sic është quajtur disa herë.
 
Sa i përket mbajtjes së seancës së jashtëzakonshme për këtë cështje, për cka Lëvizja Vetëvendosje thotë se ka mbledhur 15 mijë nënshkrime, Krasniqi duke iu referuar kushtetutës tregoi se kush mund të thërrasë mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme.

“Këtë çështje e përcakton Kushtetuta e Republikës së Kosovës, të cilën mund ta thërrasë presidenti, kryeministri apo dyzetë deputetë”, tha Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit të Kosovës.
 
Kryesia e Kuvendit vendosi që seanca e radhës të mbahet më 1 mars. Në rend të ditës është  koha për deklarime jashtë rendit të ditës, koha për pyetje parlamentare, dhe debati parlamentar për gjendjen e pensionistëve dhe invalidëve.

Top Channel