Marrëveshja mes Prishtinës dhe Beogradit për fusnotën me të cilën Kosova do të përfaqësohet në forumet rajonale, është hap përpara drejt njohjes së Kosovës nga Serbia, vlerëson Branko Cërvenkovski, ish president dhe kryeministër i Maqedonisë. Sipas tij, nga kjo marrëveshje dobi ka gjithë rajoni.

“Unë me vëmendje kam ndjekur deklaratat që vinin nga Beogradi që pohojnë se me këtë kjo marrëveshje nuk do të thotë njohje të pavarësisë së Kosovës. Pa hyrë në argumentet e tyre, mund të them se në fakt është një hap para. Kosova nga një situatë ku nuk mundej të paraqitet në forumet rajonale në planin multilateral, tani e fiton atë mundësi. Mendoj se ky është një hap përpara për Beogradin në perceptimin e realitetit”, thotë Branko Cërvenkovski.

Ai thotë se kjo marrëveshje, krijon klimë pozitive edhe për një marrëveshje mes Greqisë dhe Maqedonisë për cështjen e emrit. Megjithatë, sipas Cërvenkovskit për zgjidhjen e këtij problemi, vendimtar është vullneti politik.

“Shembulli se si në një mënyrë të civilizuar përmes dialgout tejkaluan kontestet bilaterale Kroacia dhe Sllovenia dhe tani Serbia dhe Kosova, mund të jetë inkurajim edhe për vendet tjera, në këtë rast edhe Maqedoninë dhe Greqinë, që me më shumë vullnet politik të hyjnë në këtë proces dhe të tejkalohet problemi shumë vjecar. Kuptohet, në fund gjithcka varet nga qëndrimet e Athinës dhe Shkupit zyrtar. Krijimi i klimës së mirë nuk jep asnjë garanci se kontesti do të zgjidhet nëse mungon vullneti politik nga dy palët”, tha Cërvenkovski.

Branko Cërvenkovski, i cili aktualisht është lider i partisë më të madhe opozitare në Maqedoni LSDM, vlerëson se Qeveria nuk është e interesuar për proceset eurointegruese. Duke folur për situatën e përgjithshme, ai tha se Maqedonia është vend me papunësi dhe varfëri rekorde. Cërvenkovski kritikoi qeverinë edhe për mosrespektimin e shtetit ligjor, ndërsa tha se në Maqedoni ka ende të burgosur politik.

Top Channel