Prokuroria e Tiranës i ka kërkuar gjykatës të deklarojë fajtorë dy persona, të akuzuar për vrasje për gjakmarrje dhe të dënojë me 23 dhe 21 vjet burg secilin: Alfred Gjergjin dhe Besnik Vilën, të cilët akuzohen për vrasjen e Mirash Prekës nga puka në një ngjarje që ka ndodhur në Tiranë rreth një vit e gjysmë më parë.
Prokurori ju referua në pretencë faktit se viktima Mirash Preka ka vrarë në Greqi me thikë një person nga Puka, i cili është vëllai i të akuzuarit Alfred Gjergji.
Prokurori tha se implikimi i Alfred Gjergjit konstatohet nga deklarimet e të pandehurit, nga përmbajtja e tabulateve telefonike dhe vendndodhja e të pandehurit, prokurori këmbëngul se nga tabulatet dhe vendodhja e të pandehurve, del që Alfred Gjergji ka folur me Besnik Vilën në mënyrë frekuente gjatë ditës së ngjarjes, ndërkohë që Vila ishte në makinë me viktimën.
Madje prokurori thotë që dy të pandehurit kanë folur në telefon edhe një ditë para krimit. Nuk dihet ende nëse gjykata do t’i konsiderojë si prova tabulatet telefonike dhe qelizën e vendodhjes së të pandehurve për të shpallur fajtore apo jo për gjakmarrje dy të akuzuarit. Ndërkohe që seanca e ardhshme është lënë për t’u dëgjuar konkluzionet e avokatëve mbrojtës së të pandehurve.
Top Channel