Zabit, Hilmi dhe Agim Deda, tre vëllezërit e Hekuran Dedës, i vrarë në protestën e 21 janarit, kanë bërë kallëzim penal në prokurorinë e Tiranës ndaj gardistit Fatos Skeja, nën akuzën e moskallëzimit të krimit dhe veprimeve që pengojnë zbulimin e të vërtetës.
Gjatë kallëzimit të tyre, vëllezërit Deda kanë rrëfyer edhe njëherë historinë e tyre, ku gardisti Skeja u ka kërkuar të prisnin në ngushëllim kryeministrin e vendit, në këmbim të emrit dhe fotografisë së personit që u vrau vëllanë.
Në kallëzim thuhet se, pasi ka bërë zakonin e ngushëllimit për vdekjen e vëllait, gardisti është shprehur se, kishte kryer një bisedë me kryeministrin dhe se kërkonte që ta prisnin pa bujë dhe kamera në ngushëllim.
Si shpërblim do të merrnin një shumë parash që kishte në një valixhe në makinën që e shoqëronte, si edhe emrin dhe fotografinë e vrasësit të vëllait.
Vëllezërit referojnë në kallëzimin e tyre penal, të bërë me 23 shkurt të këtij viti, se gardisti për një orë e gjysmë në rrugë është përpjekur t’u mbushë mendjen që ta pranonin marrëveshjen e tij.
Sipas tyre, pavarësisht refuzimeve të shumta, Skeja nuk largohej nga shtëpia. Ata thonë se, gardisti u kishte shpjeguar se ka qenë në tarracën e kryeministrisë më 21 janar dhe ka parë se nga ka ardhur plumbi dhe se e dinte kush e kishte vrarë Hekuran Dedën.
Sipas vëllezërve, lidhjen e tyre me gardistin e kishte bërë një i afërm, Behar Spahia, të cilit i kishin kërkuar ta largonte nga shtëpia e tyre.
Në kallëzim thuhet se vëllezërit, pas 30 minutash të vizitës së tij, e kishin kontaktuar të afërmin e tyre në telefon dhe i kishin thënë se nuk pranonin asnjë marrëveshje të tillë duke shitur vëllanë.
Kallëzimi ka ardhur vetëm në shkurt të këtij viti, pasi sipas tyre, prisnin që vetë prokuroria t’i thërriste për këtë ngjarje. Vëllezërit Deda e mbyllin kallëzimin e tyre me shpresën se prokuroria nuk do të hetojë vetëm kryerjen e këtyre veprave penale të moskallëzimit të krimit dhe veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës, por çdo vepër tjetër penale që lidhet me vrasjen e vëllait të tyre.
Top Channel