SHBA, Obama “fluturon” në sondazhe

27/02/2012 18:35

Nëse zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara do të mbaheshin sot, e hënë, presidenti Barack Obama do të fitonte me më shumë se 10 për qind ndaj kandidatëve favoritë republikanë, Mitt Romney dhe Rick Santorum.

Një sondazh i kryer në nivel kombëtar nga faqja “Politico.com” dhe nga Universiteti i Uashingtonit tregon se presidenti në fuqi do të mundte ish-guvernatorin e Masaçusets, Romney, me rezultatin 53-43, ndërsa ish-senatorin e Pensilvanisë 53 me 42 për qind.

Edhe në përballjen e supozuar me një kandidat të ri republikan, Obama do të fitonte, ndonëse me një avantazh më të vogël, 50 me 45 për qind të votave.

Shifrat në fjalë përbëjnë kështu lajme të mira për banorin aktual të Shtëpisë së Bardhë, që vetëm në nëntorin e kaluar rezultonte në sondazhe i barabartë me rivalët e Grand Old Party.

Sa për situatën në radhët e republikanëve, sondazhi tregon një betejë kokë më kokë mes Santorum dhe Romney, për emërimin e kandidatit që do të garojë në presidenciale.

Santorum i atribuohen 36 për qind të votave kundrejt 34 për qind të Romney, por diferenca prej 2 për qind nuk është e rëndësishme statistikisht.

Ndërkohë, debatet elektorale po bëjnë që Romney të paguajë një çmim të lartë, duke qenë se refuzohet nga 53 për qind e zgjedhësve të pavarur dhe mbështetet vetëm nga 33 për qind.

Sa për Santorum, të dhënat tregojnë se 42 për qind e të pavarurve e shohin pozitivisht, ndërsa 32 për qind negativisht.

Top Channel