PD: Ndjekje penale për Spahiun

27/02/2012 00:00

Ndjekje penale për ish-nënkryetarin e KLD-së, Kreshnik Spahiu. Ky është përfundimi në të cilin ka arritur komisioni parlamentar i ngritur për të hetuar veprimtarinë e tij.

Kryetari i këtij komisioni, Enkelejd Alibeaj u shpreh se komisioni evidentoi shkelje të shpërdorimit të detyrës që lidhen me mbledhjet dhe vendimet e KLD-së, si edhe shkelje financiare që lidhen me udhëtimet jashtë Shqipërisë.

“Kreshnik Spahiu, me dashje të drejtpërdrejtë, ka devijuar nga funksioni kushtetues i nënkryetarit të KLD-së, njëherazi anëtar i saj, dhe e ka zëvendësuar atë me veprimtari të qartë politike. Ka abuzuar në mënyrë flagrante dhe ka shpërdoruar kompetencat e menaxhimit administrativ dhe financiar të institucionit”, deklaroi Alibeaj.

“Është larguar në mënyrë afatgjatë në funksion të axhendës politike, pa njoftim të organeve kushtetuese, me të cilat lidhet detyra e tij kushtetuese. Ky komision ka detyrimin ligjor të formulojë dhe të përcjellë rekomandimet përkatëse. Ti propozojë Kuvendit të Shqipërisë që t’i dërgojë raportin përfundimtar prokurorit të përgjithshëm, që të vlerësojë gjetjet e këtij raporti për ushtrimin e ndjekjes penale”, theksoi ai.

Hapi tjetër, saktësoi Alibeaj, do të jetë dërgimi i raportit përfundimtar KLSH-së, me qëllim që të vlerësojë gjetjet e raportit për të mundësuar kthimin e shumave financiare të përvetësuara pa të drejtë nga zoti Kreshnik Spahiu.

Raporti është miratuar vetëm nga anëtarët demokratë në komision, pasi opozita nuk është pjesë e këtij hetimi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA