Deputetët gjermanë kanë votuar me 496 vota pro dhe 90 kundër dhënien e ndihmës së dytë financiare të BE-së dhe FMN-së për Greqinë.

Kancelarja Angela Merkel u kishte bërë thirrje atyre që ta mbështesnin marrëveshjen, edhe pse nuk kishte 100 për qind garanci se do të arrihej.

Deputetë të ndryshëm në partinë e saj kundërshtuan marrëveshjen, por ende nuk dihet nëse ata votuan kundër qeverisë.

Gjermanisë do t’i duhet të paguajë më shumë se çdo vend tjetër për paketën prej 130 miliardë eurosh, për të cilën ranë dakord vendet e eurozonës javën e kaluar.

Edhe pse Bundestagu kishte fuqinë që ta bllokonte ndihmën, gjasat që ajo të miratohej ishin të mëdha për shkak të mbështetjes së dy partive të opozitës, Social Demokratëve dhe të Gjelbërve.

Në këtë votim kishte një mazhorancë të madhe në favor, me pesë deputetë qe ishin të vetmit që abstenuan.

Korrespondenti i BBC në Berlin, Stephen Evans deklaroi se pavarësisht shumicës “pesë me një”, ka një skepticizëm të madh në radhët e politikës dhe shoqërisë civile, nëse marrëveshja do të jetë efikase.

Ministri i Brendshëm, Hans Peter Friedrich, nga simotra bavareze e Kristian Demokratëve, Unioni Kristiano Social, më herët kishte replikuar duke thënë se shanset e Greqisë për t’u rimëkëmbur do të ishin më të mëdha nëse ajo do ta braktiste eurozonën.

“Nuk e kam fjalën që ta përzëmë Greqinë, por më tepër për të krijuar instrumenta për një dalje nga kjo situatë, të cilën ajo s’po e kalon dot”, tha ai për revistën “Spiegel” ditën e diel.

Top Channel